Mosha: 39 Vendi: Shqipëri Profesioni: Inxhinier Strukturist / Menaxhim Projektesh dhe Specialist Risku  Hobi: Dashuria për jetën dhe të zbuloj veten time, jam gjithmonë në kërkim të ideve të reja inovatore, më pëlqejnë punët vullnetare. Unë jam një eksplorator i vetës sime. Jam në kërkim të shpirtit dhe si të e aktivizoj fuqinë e mendjes. Më pëlqen të shkruaj dhe të lexoj libra të gjallë dhe histori të vërteta. Aplikoj hipnozën dhe meditimin.

Jeton me SM që nga viti 2015

Të dhëna të përgjithshme

Unë quhem Tanush Çaushi dhe jam duke udhëtuar drejt të dyzetave. Jam i diagnostikuar me Sklerozë Multiple që në vitin 2015. Normalisht i martuar dhe kam dhe një vajzë 6 vjeç me emrin Sonja.

Fëmijëria dhe adoleshenca

Ndonjëherë mendoj se kam qenë me SM që fëmijë, pasi e mësova cfarë shenjash ka kjo sëmundje dhe u edukova disi me të.

Më kujtohet kur isha shumë i vogël e fillova shkollën fillore, ecja si i ngrirë dhe trupi im nuk kishte lirshmërinë normale. Fëmijët e tjerë më thërrisnin robot, një nofkë kjo edhe nga filmat që shikonim atë kohë në vegjëli. Copëza të tjera jete më vijnë ndër mend dhe më shumë qartësohem se skleroza multiple e ka origjinën shumë më herët në trupin tim dhe jo kur u diagnostikova. Koha kaloi dhe unë shkova drejt adoleshencës sime. Gjatë kërcimeve e vallëzimeve që bëja në festa të veprimtarive të ndryshme unë nuk lëvizja lirshëm, por si i ngurtësuar.

Ishte kohë e hershme dhe askush nuk mund ta kuptonte se këto ishin shenja të qarta se dicka nuk po funksiononte dhe se duheshin marrë masa të caktuara diagnostikuese.

Në gjimnaz kur dilja në shëtitje me shokët e shoqet, herë pas here më dukej sikur çaloja e pengohesha, por jeta vazhdonte pa e kuptuar dhe mjekuar të keqen.

Universiteti

Në vitin 2001 fillova Universitetin në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Tiranë. Në vit të parë filloi këmba e majtë herë herë të më mpihej duke u kthyer në një çalim të lehtë. E keqja tinzare vetëm disa ditë zgjaste dhe pushonte.

Kur dola në jetë dhe u martova

Në vitin 2012 u martova dhe teksa ndodhesha në Butrint për videoklipin e martesës, gjatë ecjes dukesha sikur çaloja. Dajua im që më shoqëronte në dasëm më pyeti:

- Dhëndërr përse çaloni?

Unë nuk dija si t’i përgjigjesha kësaj pyetje dhe ngrita supin me një farë habije.

Ndërkohë puna si Inxhinier vazhdonte. Në kantier të ndërtimit kur ecja shumë dhe lodhesha, këmba e majtë bënte mornica - mornica dhe bllokohej. Një ditë filluan dhe sytë të më dyfyshonin pamjen, por kaloi.

Cfarë po më ndodhte mua vallë?

Situata sa vinte e përkeqësohej dhe një moment kur po ngrija mobiljet në shtëpinë që blemë e ndieva se nuk isha më ai i pari. Dicka po ndodhte në jetën time. Cfarë po ndodhte vallë?...

Isha tek dyert e spitalit ku fillova të bëja lloj - lloj testesh, analizash dhe rezonancash, por ende s’po ma nxirrnin diagnozën konkrete.

- Do kohë identifikimi i kësaj sëmundjeje, më tha një ditë Doktoresha. Një ditë bashkëshortja ime, pasi bisedoi me mjekën, erdhi dhe duke më përqafuar, më tha:

- Ke Skleroze Multiple, mos u shqetëso se nuk është vdekjeprurëse. Por në fakt, ajo që kuptova, ishte se ta merrte jetën ngadalë - ngadalë.

Vazhdimësia

Në fillim pengohesha kur ecja, pastaj më bllokohej këmba e majtë. Vit pas viti po përkeqësohesha. Në fillim mora një çadër të cilën e përdorja si shkop mbajtës, por jo gjithmonë binte shi. Fillova të mbahesha mureve dhe herë-herë edhe rrëzohesha duke rrezikuar kështu shëndetin.

Më pas fillova të mbahesha me shkop i cili më dukej sikur e kisha një shok udhëtimi në lëvizje.

Por me kohë edhe shoku nuk më mjaftoi, se tashmë më duheshin dy të tillë. Pasi u mendova disi, në fund vendosa të merrja nje walker. Pikërisht, me këtë mjet vazhdoj të lëviz sot që po shkruaj historinë e sëmundjes sime.

Mesazhi

Të dashur bashkëvuajtës! Kjo e keqe që quhet Skleroza multiple është e rrezikshme dhe tinëzare. Ajo mundohet vazhdimisht të të dekurajojë, të të vërë në gjumë dhe të veprojë për të të çuar në ekstremin e ekzistencës.

Nëse ne, një ditë do të gjunjëzohemi para saj duke iu dorëzuar, do të kemi pasoja të rënda ekzistenciale.

Atëherë, cfarë duhet të bëjmë përballë saj?... Domosdo, të përballemi me të dhe të qëndrojmë fort duke e sfiduar.

Si bëhet dhe si arrihet kjo?...

Me kurajo, me besim, me veprime të vendosura individuale, me lëvizje të vijueshme, me dieta të forta, por të përballueshme, me një komunitet familjar dhe shoqëror që përcjell emocione pozitive... por e përsëris me forcë:

DUKE E NJOHUR MIRË SËMUNDJEN DHE ME BESIM E KURAJO INDIVIDUALE...

mund t’i themi NDAL kësaj sëmundje për qenien tonë ekzistenciale.

Lëvizja
Meditimi dhe hipnoza
Regjimi ushqimor
Gjej ekuilibrin midis shpirtit dhe trupit
Zbulo vetveten dhe aftësitë e fshehta.
  1. Lëvizja Lëvizja është energji. Cfarëdo lloj trupi është në lëvizje. Unë kur lëviz, fitoj energji dhe përmirësoj shëndetin tim jo vetëm fizik, por edhe nervor. Lëvizja ime është në mënyrë të zgjuar dhe miqësore me trupin dhe shpirtin. Në këtë mënyrë optimizoj energjinë e brendshme dhe të jashtme.
  2. Meditimi dhe hipnoza Meditoj përherë dhe përdor shpesh hipnozën. Arrij të përçoj energjinë time në hapësira pafund. Shpesh hipnotizoj miqtë dhe mikeshat dhe bëj shaka me ta.
  3. Regjimi ushqimor I jam kushtuar së fundmi një regjimi ushqimor të shoqëruar me shumë vitamina. Heqja dorë prej shumë ushqimeve sot hap një dritare shprese për shëndetin nesër.
  4. Gjej ekuilibrin midis shpirtit dhe trupit Shpesh aplikoj meditimin me lëvizje në një formë të lashtë Qigong. Me anë të frymëmarrjes, mendimeve dhe lëvizjes arrij në ekuilibrin e kërkuar.
  5. Zbulo vetveten dhe aftësitë e fshehta.   Jam në kërkim të gjërave të fshehta të botës së ideve dhe mendimeve. Gjithmonë hipnotizoj një të ardhme që nuk ekziston dhe përpiqem të gjej të fshehtat për ta kthyer atë në realitet.

Të gjithë ekspertët tanë pacientë të Rezistencës ndaj SM janë të pasionuar për të folur rreth SM dhe janë të përkushtuar të ndihmojnë personat e tjerë që jetojnë me SM. Ata përfshihen të gjithë në mënyrë aktive për të ndihmuar komunitetin me SM që të edukohen dhe të rritin ndërgjegjësimin rreth SM – duke punuar me shoqëritë e SM, duke shkruar rreth eksperiencave të tyre dhe duke dhënë këshilla, për të ndihmuar të tjerët që të kenë një këndvështrim më pozitiv.